
Në një atmosferë dinamike dhe plot kurreshtje shkencore, nxënësit e Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Rezonanca” në Prishtinë patën mundësinë të ndjekin nga afër një ligjëratë të hapur me një temë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe aktuale: “Përdorimet e energjisë bërthamore”.
Ligjërata u mbajt nga Prof. Asoc. Dr. Fadil Hasani, ligjërues pranë Kolegjit “Alma Mater Europaea – Campus Rezonanca”, dhe njëkohësisht ekspert me përvojë në fushën e mbrojtjes nga rrezatimi dhe të sigurisë bërthamore.
Gjatë ligjëratës, Prof. Hasani sqaroi se si energjia bërthamore nuk është vetëm pjesë e fuqisë industriale apo ushtarake, por edhe një mjet i fuqishëm në shërbim të shëndetit dhe shkencës, veçanërisht në diagnostikën dhe terapinë mjekësore. U trajtuan gjithashtu aspektet etike, shkencore dhe të sigurisë, duke përfshirë pasojat që mund të ndodhin kur kjo energji del jashtë kontrollit, si dhe ndikimet e aksidenteve bërthamore në shëndetin e njeriut dhe mjedis.
Nxënësit u përfshinë aktivisht me pyetje dhe reflektime, duke treguar interes dhe vetëdije për rolin që teknologjitë moderne luajnë në jetën e përditshme, por edhe për nevojën e madhe për edukim dhe kujdes.
Kolegji “Alma Mater Europaea – Campus Rezonanca” mbetet i përkushtuar në kultivimin e një kulture shkencore dhe qytetare, duke mbështetur iniciativa që i sjellin dijen më afër brezit të ri.