Studentët e vitit të tretë të programit Bachelor në Farmaci Komunitare në Kolegjin AMECC Rezonanca realizuan një vizitë studimore në laboratorin prodhues SEPTEX LLC në Prishtinë, nën udhëheqjen e profesor Ardian Ukmata.
Qëllimi i kësaj vizite ishte të ofronte njohuri praktike mbi proceset e prodhimit të produkteve kozmetike dhe të mirëmbajtjes, duke përfshirë përdorimin e pajisjeve bashkëkohore, teknologjive moderne dhe respektimin e standardeve profesionale në këtë fushë.
Kjo vizitë përbën një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit profesional të studentëve, duke forcuar lidhjen mes teorisë së mësuar në ligjërata dhe përvojës praktike në industri. Gjithashtu, ngjarje të tilla theksojnë rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet Kolegjit AMECC Rezonanca dhe sektorit të industrisë farmaceutike në vend.