ALMA MATER EUROPAEA CAMPUS COLLEGE “REZONANCA” MERR PJESË NË KONFERENCËN PRESTIGJOZE “EURIE -03.03.2021 – 05.03.2021”

Alma Mater Europaea Campus College “Rezonanca” merr pjesë në konferencën prestigjoze “EURIE -03.03.2021 – 05.03.2021”
Sot më datë 5 Mars 2021, mbylli punimet konferenca e përvitshme prestigjoze “EURIE” (Eurasia Higher Education Summit). Kjo konferencë, që mbahet nga organizata më e madhe në rajon për arsimin e lartë, EURAS, mbledh çdo vit në Stamboll të Turqisë rreth 120 institucione nga Europa dhe Azia, të cilat synojnë të zgjerojnë dhe forcojnë bashkëpunimet ndërkombëtare, si dhe të nxisin zhvillimin e vazhdueshëm profesional.
Këtë vit, ndryshe nga vitet e tjera, për shkak të situatës pandemike, konferenca EURIE u mbajt virtualisht dhe si fokus kryesor pati tejkalimin e sfidave me të cilat po përballet arsimi i lartë gjatë pandemisë botërore, eksplorimin e asaj që konsiderohet “normalja e re” në arsimin e lartë gjatë kësaj periudhe, inkurajimin e mobilitetit virtual, dixhitalizimin e programeve arsimore për tërheqjen e studentëve ndërkombëtarë, krijimin e partneriteteve ndërkombëtare përmes hulumtimeve të përbashkëta etj.
Pjesëmarrja e Alma Mater Europaea Campus College “Rezonanca” në konferencën EURIE 2021, shënon një hap të rëndësishëm për stafin dhe studentët e këtij institucioni, pasi përveç përfitimeve të tilla si zgjerimi i njohurive që ofrojnë panelet e diskutimit në këtë konferencë dhe shkëmbimi i praktikave më të mira e programeve më inovatore, krijohen edhe mundësi të shumta për bashkëpunime në arenën ndërkombëtare, përmes Zyrës për Marrëdhënie me Jashtë në Kolegjin e Shkencave Mjekësore “Rezonanca”.