
Në kuadër të aktiviteteve praktike dhe ndërgjegjësuese të organizuara nga Kolegji AMECC Rezonanca, studentët e vitit të katërt të programit të Stomatologjisë, nën mbikëqyrjen e Prof. Asoc. Jeta Kelmendi dhe As. Dr. Kaltrina Veseli, realizuan një vizitë edukative në Kopshtin “Dua” në Fushë Kosovë dhe Shkollën “Princetone” në Prishtinë.
Gjatë këtij aktiviteti, u përfshinë rreth 120 fëmijë të moshave parashkollore dhe fillore, të cilëve u ofruan prezantime informative, ekzaminime orale klinike dhe këshillime individuale në lidhje me kujdesin dentar. Qëllimi kryesor ishte ndërgjegjësimi i fëmijëve dhe kujdestarëve të tyre për rëndësinë e higjienës orale, parandalimi i zakoneve orale të dëmshme dhe vlerësimi i gjendjes dentare përmes ekzaminimeve sistematike.
Ky aktivitet reflekton angazhimin e Kolegjit AMECC Rezonanca në ofrimin e një arsimimi praktik dhe cilësor, si dhe kontribuon në përmirësimin e shëndetit oral të komunitetit përmes bashkëpunimit ndërmjet institucioneve arsimore dhe profesionistëve të rinj në fushën e stomatologjisë.