Vlerësimi i përgatitjes akademike të studentit mbështete në parimin e kontrollit të vazhdueshëm gjatë gjithë periudhës mësimore të rezultateve në të gjitha elementet e kontrollit dhe vlerësimit të njohurive të studentit.
Pjesëmarrja e elementëve të vlerësimit të vazhdueshëm gjatë vitit akademik është si në vijim:
Kolegji përdorë sistemin elektronik të vlerësimit dhe testimit (nëpërmjet menaxhimit të testeve me Moodle platformë), me zbatim të sistemit të bankës së pyetjeve të punuara nga mësimdhënësit e lëndës, me zgjedhje të përkëmbyer të pyetjeve në test dhe korrigjim automatik nga platform, të cilat ulin mundësinë e abuzimit në vlerësim. Për lëndët profesionale vlerësimet mund të bëhen edhe me gojë.
Për të rritur transparencën e vlerësimit, çdo pedagog dorëzon së bashku me procesverbalin edhe formatin e vlerësimit të vazhdueshëm për çdo student lidhur me frekuentimin dhe aktivizimin, cilësinë e detyrave të kursit (eseve) dhe provimet (testet) e pjesëshme semestrale.
VLERËSIMI I NJOHURIVE
Gjatë vitit akademik studenti i nënshtrohet vlerësimit të vazhdueshëm dinamik, kollokviumeve, vlerësimit të njohurive bazë dhe vlerësimit të shkathtësive klinike.
Vlerësimi i vazhdueshëm dinamik
Vlerësimi i vazhdueshëm dinamik paraqet vlerësimin e studentit gjatë gjithë vitit akademik sipas kritereve të përcaktuara të vlerësimit për këto forma mësimore: ushtrime, punë në grupe të vogla, seminare, punëtori (workshop), mësim të bazuar në problem dhe shqyrtim klinik.
Pjesëmarrja e këtyre vlerësimeve në notën përfundimtare përcaktohet në systemin e vlerësimit në syllabusin e lëndës.
Kollokviumet
Gjatë kollokviumeve vlerësohet njohuria e studentit nga pjesë të caktuara të programit të lëndës.
Kollokviumet mund të jenë: kollokviume kompensuese, kollokviume vlerësuese dhe kollokviume përfundimtare.
Vlerësimi në kollokviumeve mund të bëhet me gojë, me shkrim, në mënyrë praktike ose në mënyrë të kombinuar.
Kollokviumet organizohen sipas termineve të përcaktuara me orarin e mësimit.
Me kollokviume kompensuese bëhet kompensimi i njësive mësimore të humbura nga studenti, sipas paragrafit 3 të nenit 38 të kësaj Rregulloreje.
Numri maksimal i orëve që mund të kompensohen gjatë një kollokviumi është 6 orë.
Nota maksimale në kollokviumet kompensuese është nota 8 (tetë).
Me kollokviume vlerësuese testohen njohuritë e studentit për një pjesë më të madhe të programit të lëndës. Kollokviumet vlerësuese mund të organizohen çdo 5 javë, të cilat përcaktohen me orarin e mësimit.
Nëse për lëndën e caktuar organizohen kollokviumet vlerësuese kjo duhet të shënohet në programin e lëndës, në pjesën për mënyrën e vlerësimit të studentit.
Me kollokviume përfundimtarer vlerësohen njohuritë e studentit për lëndët të cilat në syllabus janë paraparë që vlerësimi për këtë lënd të bëhet vetëm me kollokviume.
VLERËSIMI I NJOHURIVE BAZIKE
Provimet
Me provim bëhet vlerësimi i njohurive bazike për lëndën e caktuar.
Provimet organizohen si: provime formative dhe provime sumative.
Provimet formative mund të organizohen një javë pas përfundimit të mësimit nga lënda e caktuar dhe kanë për qëllim vlerësimin provues të studentëve, vetëvlerësimin dhe reflektimet kthyese të studentëve lidhur me njohuritë e tyre në atë lëndë.
Data e mbajtjes së provimit formativ shkruhet në orarin e mësimit.
Provimet sumative kanë për qëllim vlerësimin përfundimtar të studentëve lidhur me njohuritë e tyre në atë lëndë.
Data e mbajtjes së provimit publikohet me hartën e provimeve për tërë viti akademik, të cilën e përpilon Bordi i Ekzaminimeve.
Studenti e fiton të drejtën për paraqitje në provimin e një lënde kur ka shlyer detyrimet mësimore që lidhen me atë lëndë, të parashikuara me planin mësimor, si dhe detyrimet financiare ndaj Kolegjit.
Studenti e paraqet provimin në mënyrë elektronike në programin për menaxhimin e të dhënave për studentët, të cilën e vërteton shërbimi përkatës i Kolegjit së paku 8 ditë para fillimit të provimeve. Lista e daljes së kandidatëve në provim publikohet së paku 3 ditë para mbajtjes së provimit. Gjatë kësaj periudhe, studenti që nuk e ka emrin në listë mund të bëj kërkesë për korrigjimin e gabimeve eventuale në listë, nëse kjo dëshmohet.
Emrat e studentëve që kanë fitur të drejtën për të hyrë në provimin e lëndës paraqiten në procesverbalin e provimit.
Në asnjë rast procesverbali i provimit nuk duhet të ketë korigjime dhe askush nuk ka të drejtë të shtojë emra në te.
Provimet sumative mund të jenë individuale dhe të kombinuara për më shumë lëndë, që përcaktohet me programin e studimeve.
Provimet sumative mund të mbahen si: provime me shkrim, provime me gojë, provime me gojë dhe me shkrim, dhe si provime praktike.
Provimi sumativ me shkrim realizohen nëpërmjet testit me shkrim, i cili duhet të përmbajë më së paku 80% të pjesës programore të lëndës.
Për testet e provimit shfrytëzohen lloje të ndryshme të pyetjeve, në formë të pyetjeve me përgjigje të shkurtëra, pyetje me zgjedhje të shumëfishta, pyetje me përgjigje të shumëfishta, pyetje me kombinime, pyetje me plotësime, ese, etj.
Në çdo pyetje detyrimisht duhet të shënohet numri i pikëve për atë pyetje.
Te lëndët interdisciplinore testin e përpilon grupi i mësimdhënësve të lëndës. Pyetjet e mësimdhënësve të tjerë i përmbledh në një test të përbashkët koordinatori i lëndës.
Provimet me gojë janë publike dhe studenti ka të drejtë të kërkojë që publiku të jetë i pranishëm gjatë provimit.
Te provimet e kombinuara me shkrim dhe me gojë së pari përfundohet pjesa e provimit me shkrim dhe pastaj mbahet provimi me gojë, brenda javës së njëjtë.
Pjesa praktike e provimit mbahet në mënyrë të veçantë. Nota e provimit praktik vlen vetëm për një afat të provimeve. Për lëndët klinike, provimi praktik mund të organizohet edhe si provim praktik me pacientë. Provimi praktik për lëndët që nuk kanë punë me pacientë mund të organizohet si provim me gojë, provim me shkrim, provim laboratorik, ose i kombinuar.
Sistemi i vlerësimit dhe shkalla vlerësuesë përcaktohen në detaje në programin e lëndës mësimore.
VLERËSIMI I SHKATHTËSIVE KLINIKE
Shkathtësitë klinike vlerësohen nëpërmjet: OSCE provimit dhe OSLER provimit.
Për studentët e farmacisë OSCE provimi organizohet si vlerësim i shkathtësive laboratorike me objektiva të strukturara (OSLER provim).
OSCE provimi
Nëpërmjet vlerësimit klinik me objektiva të strukturuara (OSCE) vlerësohen aftësitë klinike të studentëve të fituara gjatë praktikës klinike.
OSCE provimi zbatohet edhe në provimin e parë integrues, në provimin përmbledhës intermediar dhe në provimin përfundimtar.
Përmbajtja e ekzaminimit OSCE publikohet së paku 30 ditë para provimit.
Nëse norma nuk është përmbushur dhe mbesin pjesë të caktuara për vitin e ardhshëm akademik, provimit OSCE studenti i nënshtrohet pas përmbushjes së obligimeve.
OSLER provimi
Nëpërmjet vlerësimit të rasteve të gjata me objektiva të strukturuara (OSLER) vlerësohen aftësitë klinike të studentit për marrje të anamnezës dhe ekzaminim fizikal të të sëmurëve për lëndët klinike.
OSLER provimi zbatohet edhe në provimin përfundimtar.
Nëse norma nuk është përmbushur dhe mbesin pjesë të caktuara për vitin e ardhshëm akademik, provimit OSLER studenti i nënshtrohet pas përmbushjes së obligimeve.
Suksesi i studentit në provim shprehet me nota prej 5 (pesë) deri në 10 (dhjetë).
Notat janë të ekuivalentuara edhe me sistemin e ECTS notave, sipas kësaj tabele:
Nota |
ECTS nota |
Përkufizimi |
10 |
A |
Shkëlqyeshëm – njohuri të shkëlqyeshme me vetëm disa gabime minore |
9 |
B |
Shumë mirë – mbi mesatare standarde, por me disa gabime |
8 |
C |
Mirë – rezultat në përgjithësi i mirë, me disa gabime që vërehen |
7 |
D |
Kënaqshëm – mirë, por me mjaft gabime |
6 |
E |
Mjafton – rezultatet plotësojnë kriteret minimale |
5 |
F |
Dobët – kërkohet shumë punë për të fituar kreditë |
Studentëve që nuk paraqiten në provim, në procesverbal iu shënohet „nuk ka dalë në provim“.
Studentëve që abstenojnë pasi të ketë filluar provimi në procesverbal iu shënohet „dobët“ 5 (pesë).
OSCE dhe OSLER provimet vlerësohen sipas kësaj shkalle të vlerësimit:
Shkalla |
Shkathtësia klinike |
Pjesëmarrja |
Iniciativa dhe entuziazmi |
A: Shkëlqyeshëm |
E shkëlqyeshme |
Merr pjesë në të gjitha sesionet mësimore, plus punë shtesë klinike |
I lartë |
B: Mirë |
E mirë |
Merr pjesë në të gjitha sesionet mësimore |
Disa |
C: Kalim me kusht |
Dështim në disa fusha |
Të humbura disa sesione |
Minimale |
D: Dështim |
Jo të kënaqshme |
Të humbur numër të madh të sesioneve |
Mungon |
Nëse provimi është i kombinuar nota përfundimtare paraqet notën mesatare të ponderuar të notave përbërëse të provimit.
Te provimet e kombinuara pjesa e përfunduar e provimit i pranohet në afatet tjera të provimeve deri për të katërtën herë, përkatësisht në përputhje me paragrafin 1 të nenit 57 të kësaj Rregulloreje.
Në notën përfundimtare në mënyrë të ponderuar përfshihen edhe notat e vlerësimit të vazhdueshëm dinamik dhe të aktiviteteve të tjera akademike të parapara me syllabusin e lëndës.
Për çdo provim mbahet procesverbali i provimit sumativ, i cili në fund të provimit, pas plotësimit nënshkruhet nga koordinatori i lëndës. Procesverbali duhet të ketë të gjitha pjesët e sistemit të vlerësimit dhe vlerësimin e përgjithshëm, sipas sylabusit të lëndës. Procesverbali kopjohet në 4 kopje të njëjta, të cilat nënshkruhen nga koordinatori i lëndës, vulosen me vulë të Kolegjit, prej të cilave një mbetet në dosjen e provimit, një i mbetet koordinatorit të lëndës, një i dorëzohet BE dhe një ruhet jashtë Kolegjit.
Për çdo provim studentit i lëshohet procesverbali lidhur me vlerësimin e studentit, që përmban të dhëna lidhur me vijushmërinë e studentit në procesin mësimor dhe notat e fituara sipas sistemit të vlerësimit. Procesverbali nënshkruhet nga koordinatori i lëndës dhe ruhet në dosjen e studentit.
Provimi nga e njëjta lëndë mund të përsëritet më së shumti tri (3) herë.
Herën e katërt provimi organizohet me komision tre anëtarësh, të cilin e emëron Bordi i Ekzaminuesve (BE). Kryetar i komisionit nuk mund të jetë koordinatori i lëndës. Njëri anëtar i komisionit, patjetër, duhet të jetë mësimdhënës i ndonjë lënde tjetër të përafërt.
Provimi me komision detyrimisht organizohet si vlerësim me gojë.
Në notën e komisionit nuk mund të parashtrohet ankesë.
Studenti i cili edhe herën e katërt nuk e kryen provimin nga lënda e njëjtë është i obliguar që përsëri ta regjistrojë atë lëndë vitin e ardhshëm.
Nëse studenti edhe pas regjistrimit të përsëritur të lëndës nuk e kryen provimin në mënyrë të përcaktuar në paragrafin 1 dhe 2 të këtij neni, e humbë të drejtën e studimit në Kolegj.
Provimet e pjesëshme
Për provimet e mëdha në përmbajtje ose për provimet e përbëra nga më shumë lëndë të integruara, provimi mund të organizohet edhe si provim i pjesëshëm.
Provimet e pjesëshme mund të mbahen si provime me shkrim, me gojë, me shkrim dhe me gojë.
Nëse provimi organizohet si provim me shkrim dhe me gojë, provimi me gojë mbahet pas provimit me shkrim.
Nëse pjesa e provimit ka edhe provimin praktik, i njëjti organizohet si provim i veçantë, para provimit për vlerësimin e njohurive teorike.
Kalimi në njërën pjesë të provimit nuk mund të jetë kusht për hyrje në pjesën tjetër të provimit.
Notat e pjesëve të provimit nuk shënohen në certifikatën e notave.
Nota përfundimtare e provimit paraqet notën mesatare të ponderuar të pjesëve të provimit.
Pjesët e përfunduara të provimit i pranohen edhe në afatet e tjera të provimeve, deri sa studenti t’i nënshtrohet provimit për të katërtën herë. Provimi për hërë të katërt nga pjesa e provimit mbahet me komision, konform nenit 57, paragrafi 1 dhe 2.
Nota e “dobët” (5) pas provimit për hërë të katërt nga vetëm një pjesë e provimit mund të merr pjesë si e tillë në llogaritjen e notës përfundimtare, nëse ajo pjesë përmban jo më shumë se 25% të programit të lëndës. Në të kundërtën, lënda regjistrohet përsëri në vitin e ardhshëm.
Te provimet e pjesëshme, me program, mund të parashihet provimi sintetik.
Në këtë provim vlerësohen vetëm njohuritë integruese lidhur me aplikimin e njohurive të fituara në tërësi.
Provimi sintetik mund të organizohet si provim me shkrim, me gojë, me shkrim dhe me gojë, me ose pa provim praktik.
Nëse organizohet provimi sintetik, në notën përfundimtare marrin pjesë edhe notat e pjesëve të provimeve, notat e provimeve praktike dhe të vlerësimeve dinamike.
Kushti për të hyrë në provimin sintetik është përfundimi paraprak i të gjitha pjesëve të provimit.
Provimi përfundimtar
Provimi përfundimtar organizohet në fund të studimeve nga BE.
Provimi ka për qëllim integrimin e njohurive nga shkencat themelore dhe shkencat klinike e profesionale të përfshira në programet e studimeve, si dhe vlerësimin e shkallës së kompetencave të fituara të kandidatit që gradohet, karshi kompetencave të përcaktuara me programet mësimore dhe nga Ministria e Shëndetësisë së Kosovës.
Të drejtën për dalje në provim përfundimtar e kanë studentët që:
Në pjesët e provimit përfundimtar mund të organizohen edhe OSCE dhe OSLER provimet.
Nota e testit në pjesën e provimit mbetet e pandryshuar nëse në provimin OSCE ose OSLER të asaj pjese vlerësohet me shkallën “B – mirë”.
Nota e testit zvoglohet për një notë nëse në provimin OSCE ose OSLER vlerësohet me shkallën “C – kalim me kusht”.
Studenti me sukses të “mjaftueshëm” (6) në test dhe me shkallën “C – kalim me kusht” në OSCE ose OSLER provim vlerësohet me notën përfundimtare “dështim” (5), në atë pjesë të provimit përfundimtar.
Nëse vlerësimet në OSCE dhe OSLER janë me shkallë të ndryshme të skajshme (A/C), nota përfundimtare zvogëlohet për një notë.
Shkalla “D – dështim” në njërin nga cilido provim (OSCE apo OSLER) nënkupton vlerësimin përfundimtar në atë pjesë të provimit me notën “dobët” (5).
Nota në provimin OSCE |
Nota në provimin OSLER |
Nota e testit në atë pjesë të provimit |
“B” |
— |
Mbetet e pandryshuar |
— |
“B” |
Mbetet e pandryshuar |
“C” |
— |
Zvogëlohet për një notë |
— |
“C” |
Zvogëlohet për një notë |
“C” |
— |
Nota 6 në test – vlerësohet me notën përfundimtare 5 |
— |
“C” |
Nota 6 në test – vlerësohet me notën përfundimtare 5 |
“A” |
“B” |
Nëse numri i pikëve në test është >50%, nota rritet për një, në të kundërtën zvogëlohet për një. |
“B” |
“A” |
Nëse numri i pikëve në test është >50%, nota rritet për një, në të kundërtën zvogëlohet për një. |
“B” |
“C” |
Nëse numri i pikëve në test është >50%, nota rritet për një, në të kundërtën zvogëlohet për një. |
“C” |
“B” |
Nëse numri i pikëve në test është >50%, nota rritet për një, në të kundërtën zvogëlohet për një. |
“A” |
“C” |
Zvogëlohet për një notë |
“C” |
“A” |
Zvogëlohet për një notë |
“D” |
— |
“Dobët” (5) |
— |
“D” |
“Dobët” (5) |
KRITERET E VLERËSIMIT
Pragu i kalueshmërisë është i përcaktuar sipas sistemit:
Pikë (përqindja) |
Nota |
ETCS nota |
Përkufizimi |
91-100 |
10 |
A |
Shkëlqyeshëm – njohuri të shkëlqyeshme me vetëm disa gabime minore |
81-90 |
9 |
B |
Shumë mirë – mbi mesatare standarde, por me disa gabime |
71-80 |
8 |
C |
Mirë – rezultat në përgjithësi i mirë, me disa gabime që vërehen |
61-70 |
7 |
D |
Kënaqshëm – mirë, por me mjaft gabime |
50-60 |
6 |
E |
Mjafton – rezultatet plotësojnë kriteret minimale |
<50 |
5 |
F |
Dobët – kërkohet shumë punë për të fituar kreditë |