Afatet e Provimeve

Afatet e provimeve janë të rregullta dhe të jashtëzakonshme.
Afatet e rregullta të provimeve janë: afati i janarit, afati i qershorit, afati i shtatorit dhe afati i tetorit. Çdo afat i rregullt i provimeve zgjatë më së paku 4 javë.
Nëse mësimi tejkalon 15 qershorin, afati i qershorit zgjatet për aq ditë për sa është zgjatur mësimi.
Afat i jashtëzakonshëm është afati i prillit.
Te mësimi i organizuar në tornus, provimi sumativ i organizuar në fund të kursit konsiderohet si afat i jashtëzakonshëm.
Për absolventë si afate të jashtëzakonshme janë afati i prillit dhe afati i nëntorit.
Afatet e provimeve shtypen në hartën e provimeve që përpilohet nga BE dhe publikohet në fillim të vitit akademik.
Testet e provimeve me shkrim ruhen në dosje të veçanta të provimit në arkivë, në përputhje me ligjin mbi arkivin.
Testet e provimit dhe procesverbali i provimit, të nënshkruara nga koordinatori i lëndës, dorëzohen në administratën e Kolegjit më së largu 1 ditë pas përfundimit të provimit.
Konsultimet me studentët lidhur me rezultatet e provimit me shkrim mbahen më së largu 24 orë pas mbajtjes së provimit sumativ.
Konsultimet kanë për qëllim rishqyrtimin e rezultateve të provimit, për të eliminuar gabimet e mundëshme gjatë vlerësimit të përgjigjeve të studentit si dhe llogaritjen korrekte të pikëve të fituara. Poashtu, gjatë konsultimeve, studentëve iu kthehen edhe refleksionet kthyese lidhur me provimin dhe suksesin e tyre të treguar, mangësitë e identifikuara, rekomandimet, etj.
Nëse provimi i përcaktuar për datën e caktuar nuk mund të zhvillohet, dekani, me urdhër me shkrim, e anulon atë dhe cakton një datë tjetër, e cila u bëhet e njohur studentëve.
Provimet nga lëndët e përfunduara në fakultetet tjera mund të pranohen në tërësi ose pjesërisht, varësisht nga plani dhe programi i lëndës.
Vendimin për pranimin e notës e merr dekani, në propozim të koordinatorit të lëndës, ose të njësisë mësimore gjegjëse.
Studenti i pakënaqur me notë, brenda 24 orëve nga komunikimi i notës mund të kërkojë me shkrim rishqyrtimin e provimit, përsëritjen e provimit ose anulimin e notës dhe lejimin e daljes në provim në afatin vijues.
Kërkesa duhet të arsyetohet.
Kërkesa me shkrim për anulimin e notës mund të dorëzohet më së largu 24 orë pas përfundimit të konsultimeve lidhur me rezultatin e provimeve.
Kërkesa miratohet nga dekani.
Kërkesat për përsëritjen e provimit brenda të njëjtit afat i shqyrton BE, më së largu 48 orë pas dorëzimit të kërkesës.
BE emëron komisionin 3 anëtarësh për vlerësim. Aprovimin e Komisionit dhe vendimin për emërimin e tij e nënshkruan decani.
Mësimdhënësi me notën e të cilit nuk është i kënaqur studenti nuk mund të jetë kryetar i komisionit. Njëri anëtar i komisionit duhet të jetë mësimdhënës i ndonjë lënde tjetër të përafërt.
Provimi me komision mbahet më së largu 3 ditë pas dorëzimit të kërkesës.
Dalja në provimin me komision nuk e shton vlerën e radhës për të satën herë studenti ka dal në provim.
Te provimet me shkrim komisioni vetëm e shqyrton testin e studentit dhe në bazë të gjendjes së konstatuar e bën rivlerësimin e studentit në provim me gojë.
Rivlerësimi i studentit bëhet edhe për provimet me gojë dhe provimet praktike.
Nota përfundimtare përcaktohet me shumicë votash.
Në notën e komisionit nuk mund të parashtrohet ankesë.

 

HARTA E PROVIMEVE NËNTOR 2023/24